Kosova emëron përfaqësuesin në bisedimet me Serbinë

 

Qeveria e Kosovës vendosi të premten që Avni Arifi, shef i kabinetit të kryeministrit, Ramush Haradinaj, të jetë përfaqësues i saj në bisedimet për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

“Qeveria është palë në dialogun Kosovë-Serbi. Dialogu politik përfaqësohet nga presidenti Hashim Thaçi. Është kërkuar nga Qeveria e vendit të emërojë një shef të negociatave që do te ishte në gjendje të përcjellë rrjedhën me vendimmarrësit politik”, tha kryeministri Haradinaj në mbledhjen e qeverisë.

Zoti Arifi, do të zërë vendin e ish ministres për dialog, Edita Tahiri e cila ka drejtuar bisedimet teknike që filluan në vitin 2011.

Në prill të vitit 2013 Kosova dhe Serbia arritën e marrëveshjen e parë për normalizimin e marrëdhënieve që përfshinte një gamë çështjesh, pas të cilave bisedimet kryesisht u zhvilluan për rrugët e zbatimit të saj.

Deri në vitin 2017 bisedimet ishin drejtuar nga kryeministrat e të dyja vendeve, ndërsa më pas ato u morën përsipër nga presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi dhe presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç. Takimi i fundit ndërmjet tyre është mbajtur në Bruksel më 20 shtator në New York, më ndërmjetësimin e shefes së politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Federica Mogherini, në dritën e zotimeve të bëra në dy takime që u zhvilluan në korrik dhe në fund të muajit gusht në Bruksel, kur ata ishin pajtuar për një fazë të re të bisedimeve ndërmjet të dyja palëve, përtej çështjeve teknike.

Në muajin korrik presidenti serb paralajmëroi hapjen e një dialogu të brendshëm serbë për zgjidhjen e çështjes së Kosovës, pavarësinë e së cilës ajo vazhdon ta kundërshtojë, por është përfshirë në një proces bisedimesh në shkëmbim të afrimit më strukturat evropiane.

Ai është zotuar të vazhdojë rrugën evropiane por edhe të ruaj lidhjet me aleatin e saj Rusinë, një dëshirë e nacionalistëve serb që nuk pajtohen me pavarësinë e Kosovës. Kosova mbetet çështja kryesore në bisedimet e Serbisë për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, pret që në përmbyllje të bisedimeve të dyja palët të njohin njëra tjetrën dhe t’i japin fund një periudhë të gjatë të armiqësive.

Ai ka bërë thirrje për ekip uniteti në Kosovë që do të përfshihej në bisedime ndërsa ka paralajmëruar se çfarëdo marrëveshje që të arrihet me Serbinë, do ta hedhë në referendum.

Bisedimet e deritashme i siguruan Serbisë hapjen e negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian, ndërsa Kosovës marrëveshjen e Stabilizim Asocimit. Por ajo vazhdon të jetë e fundit në proceset integruese evropiane.