Bannon dorëhiqet nga rrjeti konservator i lajmeve Breitbart

Steve Bannon, ish-strategu kryesor i presidentit amerikan, Donald Trump, po tërhiqet nga rrjeti Breitbart News, ku ai ka shërbyer si kryesues ekzekutiv prej vitit 2012.

Kjo faqe në Internet e krahut të djathtë këtë shpallje e ka bërë mbrëmë, pasi në një libër të ri, Bannon është cituar se e ka përshkruar takimin e qershorit të vitit 2016, ndërmjet djalit të presidentit, Donald Trump i riu, ndihmësve të fushatës së presidentit dhe të një avokateje ruse, si “tradhtues” dhe “jopatriotik”.

Zyrtarë të Shtëpisë së Bardhë thanë se presidenti Trump ishte i zemëruar me komentet e zotit Bannon në librin e ri të autorit, Michael Wolff, të titulluar “Zjarr dhe Tërbim: Brenda Shtëpisë së Bardhë Trump”.

Presidenti Trump ka vlerësuar se libri është “hipokrit” dhe se kishte shumë informata të pavërteta dhe të falsifikuara.

Para disa ditësh, zoti Bannon tha se përshkrimi i tij kishte të bënte me ish-shefin e fushatës Trump, Paul Manafort, i cili, po ashtu, kishte marrë pjesë në takimin e përmendur, e jo për djalin e presidentit.

Senati dhe Dhoma Përfaqësuese e Kongresit të Shteteve të Bashkuara dhe agjencia FBI, po zhvillojnë hetime lidhur me ndërhyrjen e dyshuar ruse në zgjedhjet presidenciale të Shteteve të Bashkuara, në vitin 2016.

Moska i ka hedhur poshtë këto akuza.