Fantazia dhe realiteti: A ekziston butoni bërthamor?

Duke iu përgjigjur kreut të Koresë së Veriut Kim Jong Un, Presidenti i SHBA, Donald Trump shkruante të martën mbrëma në Twitter se butoni i tij bërthamor është “më i madh” dhe “më i fuqishëm” sesa i Kimit.

Në realitet, nuk ekziston ndonjë buton bërthamor.

Secili vend me armë bërthamore ka sistemin e vet për fillimin e një sulmi bërthamor. Megjithatë, gjithçka varet nga udhëheqësi i qeverisë, pra nga konfirmimi prej tij i identitetit të vet para se të autorizojë një sulm të tillë.

Në SHBA, autorizimi i një sulmi bërthamor është një proces i fshehtë dhe i ndërlikuar. Ai përfshin përdorimin e një të ashquajturit “top futbolli” bërthamor.

Fjala është për një çantë 23 kilogramëshe që mbahet me rotacion nga një grup oficerësh, të cilët shoqërojnë presidentin kudo që shkon. Çanta ka brenda pajisje komunikimi dhe një manual që përfshin planet e luftës. Manuali ka një listë objektesh, të cilat mund të vihen në shënjestër nga të 900 armët bërthamore që posedon ushtria amerikane.

Nëse Presidenti Trump jep urdhër për një sulm bërthamor, ai duhet që së pari të identifikojë veten me anë të disa kodeve të regjistruara në një kartë, që quhet “biskotë” dhe që presidenti e mban me vete në çdo kohë.

Presidenti ia transmeton urdhrin Pentagonit, që ndodhet pranë Uashingtonit si dhe Komandës Strategjike në shtetin e Nebraskës.

Për të autorizuar një sulm bërthamor, Presidenti nuk kërkon miratimin e askujt tjetër, as të Kongresit dhe as të forcave të armatosura.

Lufta e fjalëve rreth butonave bërthamorë filloi të hënën, kur Kim Jun Un tha në një fjalim: “Nuk është thjesht kërcënim, por realitet fakti që unë kam një buton bërthamor në tavolinën e zyrës sime”. Ai shtoi, “I gjithë territori kontinental amerikan është brenda rrezes së sulmit tonë bërthamor.”

Koreja e Veriut është një vend i izoluar, programi bërthamor i të cilit është zhvilluar në fshehtësi dhe shumë ekspertë ndërkombëtarë e vënë në dyshim që në tryezën e Kimit të ketë ndonjë buton.

Megjithëse butonat bërthamorë janë figura në imagjinatën e njerëzve, Trump iu përgjigj udhëheqësit koreanoverior në Twitter se edhe ai ka një buton në tryezë, por shumë më të madh dhe më të fuqishëm se rivali.