Varrezat greke, patriotët e rinj dhe politikanët e vjetër

Nga  Nebil ÇIKA

Dje qindra të rinj shqiptarë u përpoqën të pengojnë nderimin që Greqia u bën të rënëve të saj në tokën shqiptare gatë luftës italo-greke të vitit 1941 në Jug të vendit. Historia e ushtarëve grekë të rënë në territorin e shtetit shqiptar dhe sidomos amplifikimi politik i saj ka sjellë mjaft probleme në derdhjet e trazuar midis dy vendeve. Përtej retorikës politike marrëdhëniet shqiptaro-greke janë në ngërç të vazhdueshëm për shkak të problemeve historike e aktuale, pa zgjidhjen e të cilave nuk mund të pretendohen marrëdhënie normale e aq më tepër miqësore. Ndërtimi i varrezave të ushtarëve grekë në tokën shqiptare është një histori turpi, ku janë përfshirë pothuaj të gjitha strukturat e shtetit shqiptar, të cilat pikërisht në prag të 100-vjetorit të Pavarësisë i kanë dhënë mundësi Greqisë të realizojë ëndrrën e saj shekullore duke sajuar varre e varreza greke në një tokë që ka 100 vjet që e pretendon si të sajën, megjithëse historikisht ka qenë dhe sigurisht do të vazhdojë te jetë shqiptare. Debati këtu nuk është identiteti kombëtar i Jugut të Shqipërisë, por përpjekjet greke e sidomos asistenca shqiptare për tjetërsimin e këtij identiteti me histori me mjete e histori sa të falsifikuar aq dhe të turpshme për çdo individ që ka vënë e vazhdon të vërë tulla në projektin më të madh shovinist të megaloidesë të quajtur “Vorio-Epir”. Ngritja e varrezave të ushtarëve grekë të rënë në Shqipëri në vitin 1941 ka qenë dhe mbetet një projekt politik i Greqisë, që daton që me normalizimin e marrëdhënieve midis dy vendeve në vitet ’80, por që është pjesë e projektit të madh të megaloidesë, që daton që me përpjekjet për fabrikimin e shtetit grek në fillim të shekullit XIX. Kërkesa për ndërtimin e këtyre varrezave i është prezantuar për herë të parë qeverisë komuniste shqiptare në vizitën e parë që ish-ministri i jashtëm grek, presidenti aktual Karolos Papulias, bëri në Shqipëri në vitin 1980. Qeveria e atëhershme shqiptare nuk e bëri publike një gjë të tillë, por mediet greke që shoqëronin ministrin e tyre në këtë vizitë “historike” e cilësuan këtë si një nga kërkesat kryesore të palës greke. Në fakt, ka një projekt të qartë grek për Vorio-Epirin, i cili ka hasur gjithnjë në pamundësinë e tyre për të argumentuar historikisht ekzistencën historike e aktuale të helenizmit në këto troje shqiptare të pretenduara prej tyre. Pa dyshim që gjurmët më autentike të përkatësisë etnike të një kombi, populli a territori janë varret, dëshmi të pamohueshme historike e juridike, që do ta bënte projektin grek të aneksimit të trojeve shqiptare të besueshëm për opinionin publik ndërkombëtar, gjë që para ndërtimit të këtyre varrezave ishte tërësisht e pamundur. Ndërtimi i varreve në trojet shqiptare, në shumicën e rasteve me eshtra shqiptarësh, për ndoshta një nga aktet më të shëmtuara në të gjithë historinë e përpjekjeve greke për të sajuar një historik greke për Vorio-Epirin. Pa dyshim që faqja e zezë e këtij zhvillimi kaq negativ është shteti shqiptar, që në kundërshtim të hapur me Kushtetutën dhe interesat kombëtare lejoi ndërtimin e këtyre varrezave monumentale, duke i shtuar zgjidhjes së çështjes kombëtare një tjetër pengesë sa të sajuar aq dhe të paparashikuar. Përveç shtetit në këtë projekt të pastër antishqiptar janë përfshirë edhe faktorë të tjerë të rëndësishëm kombëtar, siç është Kisha Ortodokse Autoqefale dhe parti politike e politikanë, siç është PBDNJ-ja dhe kreu i saj, deputeti i Kuvendit të Shqipërisë Vangjel Dule. Të gjitha këto institucione janë përfshirë në këtë projekt grek në shkelje të hapur të Kushtetutës dhe statusit të tyre politik e shoqëror. Ka disa vendime të gjykatave shqiptare që kanë përcaktuar natyrën e jashtëligjshme të ndërtimit dhe përdorimit të këtyre varrezave, e megjithatë statusi si dhe qëllimi i tyre vazhdojnë të jenë aktiv e në dispozicion të projektit politik që ka mundësuar realizimin e tyre. Dje, duke shfrytëzuar pikërisht këto varreza të falsifikuara, forcat më antishqiptare greke u tubuan në territorin shqiptar, me lejen e shtetit shqiptar, nën mbrojtjen e shtetit shqiptar për të demonstruar “kufirin e ri” të Greqisë se madhe (megaloidesë), një zhvillim që çoi përveç të tjerash edhe në një konflikt pothuaj fizik me qytetarë që me të drejtë janë të revoltuar. Detyrë parësore e institucioneve shtetërore është, pa dyshim, ruajtja e integritetit territorial të vendit, integritet që dje është kërcënuar seriozisht dhe publikisht.

Historia e varrezave të sajuara greke bëhet më e pështirë dhe sigurisht më e rrezikshme, po të mendosh se Shqipëri ka një histori reale varresh e varrezash me Greqinë, gjenocidin dhe masakrat ndaj shqiptarëve që jetonin në shtetin grek, të njohur si gjenocidi apo masakra greke ndaj çamëve në vitin 1945. Janë me mijëra varre të viktimave të gjenocidit çam, vepër e përgjegjësi juridike, politike e humane e drejtpërdrejt e ushtrisë greke dhe e shtetit grek, plus mijëra e mijëra të tjerëve, që prehen për shekuj me radhe në vendbanimet e tyre historike nga Follorina në Prevezë e ndoshta më gjerë. Varre të vërteta shqiptaresh, jo të sajuar, jo të vjedhur, jo pushtuesish, si ata të ushtarëve grekë në Jug të Shqipërisë, të vrarë e masakruar nga grekët, jo nga italianët apo nga ndonjë pushtues tjetër i Greqisë, që për më shumë se 60 vjet janë shkatërruar apo mohohen si të tillë nga shteti grek. Qindra mijë shqiptarë të Çamërisë u ndalohet të vizitojnë varreza e trojet e të parëve në vendet e tyre, në pronat e tyre, në dheun e tyre e tonin bashkë. Besoj se ka qenë dhe është detyrë parësore e shtetit shqiptar njohja e respektimi i këtyre varrezave, por dhe i elementeve të asaj që ne sot e quajmë “çështja çame”. Megjithëse këmbëngul në faktin se varrezat greke nuk duheshin pranuar as si ide e propozim nga pala greke, theksoj se shteti shqiptar para çdo marrëveshjeje tjetër duhej të kërkonte restaurimin dhe nderimin e varrezave shqiptare në Çamëri dhe zona të tjera në Veri të shtetit grek, gjë për të cilën nuk duket se e ka vënë ujin në zjarr ndonjëherë. Një nga çështjet zgjidhja e së cilës duhet kërkuar jo vetëm nga shteti grek, por dhe nga institucionet ndërkombëtare, është zbulimi i varreve masive të shqiptarëve të vrarë gjatë gjenocidit të vitit 1945, si pjesë e reagimit ndaj këtij krimi kundër njerëzimit, vepër e drejtpërdrejtë e shtetit grek. Çështja çame është pa dyshim problemi më i madh në marrëdhëniet shqiptaro-greke, por në këtë shkrim përmenda vetëm një prej aspekteve të shumta të saj, siç janë varrezat, për të bërë kontrastin me atë turp që shteti shqiptar dhe drejtuesit e tij kanë marrë përsipër, duke lejuar ndërtimin e varrezave të falsifikuara greke në Shqipëri.Në fakt, e gjithë marrëdhënia aktuale shqiptaro- greke është e pasinqertë e sidomos e palogjikshme. Raporti ndërshtetëror shqiptaro- grek besoj se përben një rasat të paprecedent në praktikat diplomatike dhe të drejtën ndërkombëtare, pasi kanë midis tyre edhe traktat miqësie, edhe ligj lufte. Ligji i luftës daton që nga ajo që ne e quajmë “lufta italo-greke”, por që grekët e quajnë zyrtarisht dhe juridikisht “lufta shqiptaro-greke”, pasi përbën edhe sebepin, por dhe arsyen e mbajtjes ende në fuqi të ligjit të luftës. Nuk e di se si mund të justifikohet me të drejtën ndërkombëtare, por mendoj se traktati i miqësisë është i neutralizuar nga ligji i luftës, një akt juridik ende aktiv i kushtetutës greke, gjë që e bën antikushtetues traktatin e miqësisë midis dy vendeve tona. Ekspertët e së drejtës ndërkombëtare duhet ta shpjegojnë më qartë këtë situatë juridike midis dy vendeve, por logjika të thotë se vetëm njëri prej ligjeve duhet të ekzistojë. Por për grekët ligji i luftës ka qenë dhe është baza juridike e të gjitha veprimeve antishqiptare, nga gjenocidi çam e deri te varrezat fiktive në Boboshticë, Këlcyrë e gjetkë. Abrogimi i tij do të thotë që shumë prej tabuve në marrëdhëniet aktuale midis dy vendeve të bien, duke u hapur rrugë zgjidhjes së problemeve, përfshirë edhe atë më të madhin: problemin çam. Siç thamë, marrëdhëniet shqiptaro-greke janë shumë të paqarta juridikisht dhe poshtëruese politikisht, gjithnjë në dëm të interesave të Shqipërisë dhe të shqiptarëve. Justifikimet me kushtëzimin e trajtimit të emigranteve tanë në Greqi apo të votës greke në NATO e BE të kësaj pozite inferiore, për të mos thënë poshtëruese të Shqipërisë në marrëdhëniet me Greqinë nga të gjitha qeveritë shqiptare që nga viti 1990 e këtej, janë të papranueshme dhe alogjike. Nëse integrimi euroatlantik i vendit do të kushtëzohet me politika e praktika antikombëtare, gjë që tingëllon krejt e pabesueshme, atëherë ky integrim bëhet i pavlefshëm e në kundërshtim me interesat që në presim të realizojmë prej tij.Fakti që Greqia në këtë derexhe ku e ka futur kriza ekonomike vazhdon të financojë projekte si ky i varrezave monumentale në tokat shqiptare apo si tubimi i djeshëm politik në to flet qartë për rëndësinë që ky shteti i jep një projekti kaq antishqiptar e antiligjor sa ky. Ajo që duket pozitive në këtë histori është kundërshtimi i grupimeve të ndryshme politiko-shoqërore, kryesisht të rinj, këtyre politikave e praktikave antishqiptare, por dhe të disa segmenteve të politikës. Në mungesë totale të reagimit të institucioneve shtetërore duhen përkrahur e vlerësuar lëvizje si ajo e “patriotëve të rinj”, që u munduan dje të pengonin “marshimin grek” në Korçë, Përmet e Tepelenë. Por mendoj se përveç Dules vezët e demonstruesve, por jo vetëm ato, duhet të drejtohen ndaj krejt asaj pjese shqiptare që mbështet dhe mundëson projektet antishqiptare greke në territorin e Shqipërisë. “Vezët” e “patriotëve të rinj” duhet të drejtohen edhe kundër politikanëve “të vjetër” në krye të tyre, sidomos ndaj atyre që me votën e tyre parlamentare nga karriget komode të Kuvendit të Shqipërisë, por dhe me autoritetin e tyre politik, mund të kushtëzojnë e ndalojnë që në gjenezë shumë projekte antishqiptare si ky i varrezave greke në Jug, pa qenë nevoja të mbledhin apo edhe të përplasin fizikisht me neonazistët apo spiunët gjithfarë llojesh të Greqisë në rrugët e Këlcyrës, Boboshticës e kudo tjetër “patriotët e rinj” dhe patriotë të tjerë të Shqipërisë.

Botuar ne Metropol. 28. 10. 2012