Bujaria, mikpritja dhe humanizmi i tropojanëve dhe harresa e strukturave shtetërore në Shqipëri dhe në Kosovë.

 

Nga Sadri Isufi *

Ajo çfarë ka ndodhur në pranverën e vitit 1998 në Tropojë është unike dhe e paimagjinueshme.Banorët e Malësisë së Gjakovës, gjatë pranverës së vitit 1998 (por edhe 1999), kur filloi në shkallë të gjerë operacioni i dëbimit masiv dhe përpjekja për spastrim etnik të shqiptarëve të Kosovës; hapën dyert dhe vatrat, ofruan zemrat e tyre, mikpritjen tradicionale shqiptare, besën e malësorit dhe gjithçka ata kishin në vatrat dhe shtëpitë e tyre jo shumë të pasura, por që pasurinë më të madhe e kishin tek shpirti, tek zemra, tek mikpritja, tek respekti, tek humanizmi, tek solidariteti.
Ndaj popullatës dhe vendbanimeve shqiptare, policia, ushtria dhe paramilitarët serbë në masë të gjerë, duke filluar në mars të vitit 1998 e deri në qershor të vitit 1999, ndërmorën ofensiva për vrasjen e popullatës shqiptare dhe rrënimin e vendbanimeve të tyre. Me fillimin e konfliktit të armatosur në Kosovë (mars 1998),spastrimi etnik e gjenocidi morën formën e një veprimtarie barbare, që sfidoi gjithë bashkesinë ndërkombëtare në prag të shekullit XXI. Në ato ditë të fund majit –fillim qershorit 1998,kur eksodi i të shpërngulurve me forcë nga trojet e tyre vazhdonte pandërpreje,mikpritja e tropojanëve demonstrohej mrekullisht dhe të huajt në Tropojë habiteshin me atë që po ndodhte sepse kjo që po bënin shqiptarët për njëri-tjetrin ishte diçka e harruar dhe e pabesueshme në vende të tjera. Në një trevë tejet të varfer me një popullsi rreth 30 mijë banorë u mirëpriten e u strehuan mbi 20 mijë të ardhur nga Kosova.Gjeneratat e mëparshme e kanë përjetuar dhe janë ballafaquar me situata të tilla,por ne jo. Prandaj për ne ka qenë më e vështirë ta përjetojmë një eksod të tillë,një tërheqje në masë të madhe të popullsisë shqiptare nga Kosova, nëpër një rrugë aq të vështirë për tu vendosur në Tropojë. Mirëpo ishte kënaqësi e veçantë që të shohësh gatishmërinë e vëllezërve, motrave dhe gjithë bashkëkombësve nga Tropoja. Një gatishmëri për ta ndarë bashkë edhe kafshatën e bukës, edhe pse të vetëdijshëm se ndoshta pas tri ditëve nuk do të kishin me çfarë të ushqenin fëmijët e tyre.Kjo tregon se shqiptarët e Kosovës nuk ishin të vetëm e të braktisur.Ata do të kishin mbështetjen e popullit shqiptar të Shqipërisë e të viseve shqiptare rreth kufirit. Kjo do të thoshte se populli i Kosovës, pavarësisht situatave që do të krijoheshin, do të kishte një mbështetje reale.Në anën tjetër, kjo afirmon një ndjenjë të madhe të popullit shqiptar të të dyja anëve të kufirit ,atë që janë të një gjaku dhe që janë të pandashëm. Të dëbuarit e parë arritën në komunën e Tropojës rreth datës 25 maj 1998 dhe fluksi i ardhjes së tyre u shumëfishua brenda 2-3 ditësh saqë u bë i pamundur perballimi i situates vetëm në këtë zonë dhe karvanët e gjatë të fëmijëve,grave e pleqëve u detyrua të shtonin edhe disa kilometra rrugë të mundimëshme drejt qytetit Bajram Curri. Ishte ora 8 e mëngjezit të 30 qershorit, kur në zyrën e Kryetarit të Bashkisë u paraqit perfaqësuesi i një grupi prej rreth 60 vetash të ardhur nga Deçani.Pasi i takuam dhe u njohëm me gjëndjen mjaft të rënduar të tyre,menjëherë i sistemuam në disa familje, pasi në ato momente nuk kishte asnjë mundesi tjetër.Duhet theksuar fakti se infrastruktura por edhe ekonomia në Tropojë ishin totalisht të rrënuara si pasojë e ngjarjeve dramatike të vitit 1997 dhe rëndi e siguria publike jashtë kontrollit. Menjëherë strukturat dhe administratat e pushtetit lokal u vunë në veprim duke ndërmarrë vendimet dhe masat e domosdoshme në kushtet e emergjencës.U ngritën grupet e sherbimit për pritjen dhe sistemimin e të ardhurve duke u bazuar fillimisht në vendosjen e tyre në disa ambjente që u pershtatën për atë qëllim si Pallati i Kulturës, Muzeu , Palestra e Shkollës etj por shumica e tyre u sistemuan në banesat e qytetarëve të Bajram Currit,të cilët të organizuar prisnin në sheshin para Bashkisë ardhjen e kosovarëve. Grupet e pritjes, evidentimit dhe sistemimit të të ardhurve punonin pa nderpreje ditën dhe natën.Ata bënin rregjistrimin me saktësi të çdo personi e familje duke u kujdesur deri në sistemimin e tyre dhe furnizimin me artikujt më të domosdoshëm për momentet e para.Në arkivin e Bashkisë janë ruajtur me qindra faqe materiale dokumentare që pasqyrojnë gjithë atë aktivitet intensiv si listat e personave,listat e shpërndarjes së ndihmave materiale dhe atyre monetare të nënshkruara nga perfituesit e tyre të shoqëruara edhe me nr.e dokumentit identifikues të secilit prej tyre, të gjithë praktikën e vendimmarrjes të organeve të pushtetit lokal dhe analizat perkatëse. Një rol tepër të rëndësishem në pasqyrimin real dhe në kohë rekord të situates por edhe në sensibilizimin e opinionit dhe organizmazve të ndryshme vendase dhe nderkombëtare, patën mediat e shumta duke filluar nga ato më prestigjiozet si Zëri i Amerikës, Deutche Wele, RAI,BBC, CNN etj si dhe ato vendase, në veçanti mediat lokale si Tv B.Curri dhe Radio Kukësi, roli i të cilave ishte i jashtëzakonshëm.Gazetarët e tyre gjëndeshin gjithnjë në terren që nga kufiri, në rrugëtimin e të dëbuarve dhe deri në shtëpitë dhe ambientet ku ata ishin strehuar. Pasqyrimi real i situatës orë pas ore, intervistat dhe reportazhet e transmetuara prej tyre paten një ndikim shumë të madh dhe ishin një ndihmë e çmuar për familjet kosovare por edhe për organet e pushtetit lokal në evidentimin dhe marrjen në kohë të vendimeve për stabilizimin e situatave që ndryshonin çast pas çasti.Përveç kontributit të padiskutueshëm të momentit, ato mund të shërbejnë si një arkivë me vlera të jashtëzakonshme për kujtesën dhe evidentimin e saktë të atyre ngjarjeve madhore e të papërsëritëshme për tu shfrytëzuar në çdo kohë nga studiuesit, historianët, organet shtetërore etj. Fluksi i ardhjes ishte tepër i madh saqë nga data 16 qershor numri i tyre në qytet arriti në rreth 12 mijë persona, në një kohë kur banorët e Bajram Currit nuk kalonin shifrën e 8 mijë vetave.Kjo situatë intensive zgjati mbi 3 muaj derisa në fillim të muajit shtator filloi të lehtësohej pasi filloi të funksiononte Kryqi i Kuq Shqiptar nëpërmjet shperndarjes së ndihmave, njëkohësisht filloi edhe largimi i shumë familjeve kosovare drejt vëndeve të Europës ku ata kishin të afermit e tyre në emigracion. Ne u vumë në sprovë dhe sfiduam edhe më skeptikët e kohës. Më 1998 Tropoja i riktheu Shqipërisë imazhin e dëmtuar padrejtësisht vite e dekada të shkuara. Bota u mrekullua me atë çfarë bëmë në ato ditë të vështira për shqiptarët edhe në Shqipëri, edhe në Kosovë.Përfaqësuesit më të lartë të shteteve e organizmave më të rëndësishme si dhe mediave nderkomëtare më të ndjekura, folën me zë e figurë për sakrificën dhe angazhimin e paepur të popullit të Tropojës.Për këtë, jo vetem ne,por të gjithë shqiptarët në mbarë botën,duhet të ndjehen krenarë me tropojanët dhe ata meritojnë plotësisht të vihen në piedestalin e mirënjohjes së popullit shqiptar. Ne duhet t’i njohim dhe të mos i harrojmë kurrë këto vlera. Prandaj detyra jonë e madhe dhe përgjegjësia qytetare është: të mos harrojmë! Ta kujtojmë dhe gjithmonë ta nderojmë! Pritja dhe kujdesi për të shpërngulurit forcërisht nga Kosova natyrisht që u frymëzua nga fakti se po merreshin në mbrojtje vëllezërit e një gjaku, të një kombi, të një identiteti, të cilët ishin të rrezikuar në jetën dhe ekzistencën e tyre. Gjithësesi edhe historia do ta dëshmojë bujarinë e tropojanëve si një akt shumëdimensional: Mbi të gjitha si ndjenjë të humanizmit dhe shpirt të solidaritetit. Solidariteti dhe humanizmi i tyre shpëtoi jetën e mijëra njerëzve të pafajshëm, parandaloi një katastrofë humanitare të parashikuar dhe konfirmuar madje që mund të ndodhte dhe nga Organizatat Ndërkombetare në atë kohë. E theksoj këtë, pasi me keqardhje vërej (jo vetëm unë) se ka një harresë totale ndaj kësaj ngjarje madhore, me permasa jo vetem lokale por kombëtare, gjë që nuk shkon në kahjen e duhur dhe i shërben harresës e mosmirënjohjes në vend të vlerësimit e kujtesës. Unë nuk jam personi që mund të jap shpjegimin e duhur se përse kjo po ndodh prej gati 20 vitesh në menyre sistematike si në Shqiperi ashtu edhe në Kosovë, pamvarësisht pikëpamjeve e bindjeve të mia të konsoliduara tash,perballë kësaj shpërfillje totale. Nga mediat dhe organet shtetërore në Shqiperi e Kosovë janë bërë vazhdimisht vlerësime e përkujtime selektive për atë që gjithë shqiptarët përballuan denjësisht në vitin 1999 (për tropojanët ishte viti i dytë rradhaz); por të neglizhohet, harrohet e injorohet plotësisht viti i veçantë1998 , tropojanët e Malësia e Gjakovës më duket jo vetëm një mosmirënjohje e çuditëshme por edhe cinike, dashakeqe etj. Bëhet fjalë për ngjarje që shumë rrallë ndodhin dhe venë në sprovë popuj e kombe. Tropojanët e kaluan me sukses në kushtet e një situate të jashtëzakonshme ekonomike, politike e terrori të pashembullt si dhe në kushtet e izolimit pothajse total nga qeveria e kohës. I ftoj të gjithë ata individë politikanë ose jo,organe apo forume e shoqata që kanë mundësi vendimmarrje ose propozimesh ndaj instancave më të larta apo akses në mediat e portalet e ndryshme; të ngrenë zërin e të ndërmarrin nismën e nevojshme për vlerësimin e ngjarjes, të kontributit të Malësisë së Gjakovës. Për ketë mund të kërkohet ndihma e mbështetja nga të gjithë ish drejtuesit lokalë të asaj periudhe, të keshillit bashkiak e çdo instance apo personi që ka lidhje e dijeni për ngjarjet.
Dhjetor,2017
*Ish Kryetar i Bashkisë B.Curri (1996-2000)