Njeriu që kujdeset për Flamurin “e tij”!

Nga Bislim Ahmetaj
Shumë njerëz e njohin Gëzim Hidrin si “skllavi e gurit” epitet që ai vet ja ka ngjitur vetës së tij. Ai, gurin e ka kult dhe dashuri njëherësh. Me gurin jeton, me gurin beson se do të jetojë edhe në botën e përtejme. Aq i lidhur është më gurët sa edhe portreti dhe pamja e tij kanë filluar të marrin ngjyrat dhe format e gurëve më të cilët ai bashkëjeton prej më shumë se tridhjete vitesh. Edhe karakteri i tij është i fortë si një gurë stralli që as daltave të tij shpesh nuk i bindet. Kështu që kur je në miqësinë e tij duhet të jesh i kujdesshëm ta dëgjosh dhe ta ndjekish me vemendje sepse mund të thyhet në sytë e tu dhe zor se ngjitesh më me të. Ai i njeh mirë botën njerëzore dhe nuk është shumë i afrueshëm me njerëzit që nuk i pëlqejnë .
Në pranverën e vitit jubilar të 100 vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë ai pa një ëndërr të bukur, Flamurin tonë Kombëtarë të shtrirë në një mozaik me gurë që vinin nga të gjitha trevat shqiptare. Ju qep asaj ëndrre me mish e me shpirtë, ditë e natë deri sa ja doli ta vendoste bash aty ku burrat e shquar të Tiranës e ngritën Flamurin tonë Kombëtare me 26 Nentor të ‘912.
Gëzimi nuk është një biznesmen, ai thjeshtë është një artistë që e don vendin e tij pa kushte dhe gjithë atë punë që nga mbledhja e gurëve nëpër të gjitha trevat shqiptare nga Kosova e Mali I Zi, Camëria e Maqedonia , Kosova Lindore dhe Republika e Shqipërisë dhe pas kesaj realizimi në mozaik i Flamurit në përmasat që e shihni përditë kur kaloni pranë godinës së Komitetit të ish të Përndjekurve Politik, pregatitja e platformës dhe vendosja janë krejtësisht investim i “skllavit të gurit” që e don dhe e çmon Atëdheun dhe Flamurin e tij.
Investimi i vetëm i Bashkisë së Tiranës për këtë vepër unike në llojin e saj ishtë vendimi i Këshillit Bashkiak të kryeqytetit për të dhenë lejen e sheshit ku do të vendosej mozaiku-flamur. Gëzimi kujton se aso kohe pati indicio dhe përpjekje të shumta nga eksponentë të Bashkisë së Vlorës për ta ndryshuar destinacionin e mozaikut të tij duke afruar edhe shuma monetare tunduese por që nuk shkaktuan kurrfarë lëkundje tek ai, pasi ai s’mund ta vriste ëndrrën e tij, atë ëndërr e kishte parë në Tiranë dhe jo në Vlorë. Në atë ëndërr s’kishte parë lekë, as euro, kishte parë vetëm Flamurin-Mozaik të vendosur aty ku patriotët e Tiranës e kishin ngritur atë me 26 Nëntor 1912.
Gëzimi kujton që në atë kohë nuk arriti ta mbaroj krejtësisht,do të duhej ta lyeja me një silucion antieroziv që ti rezistonte, ujit, erës, pluhurit dhe ngricave por një e ftohur e rëndë e hoqi nga puna dhe e çoj për gati dy javë në sanatorium. Ndoshta edhe nga koha e gjatë që kalon nëpër lumenj ku nxjerr gurët e tij që më pas shndërron në vepra arti unike si rasti i flamurit –mozaik.
Ai vjen shpesh në Tiranë dhe gjithmonë kthehet dhe përkujdeset për Flamurin “e tij” e fshin nga pluhurat, e pastron nga balta.
Por sot pas 5 vitesh në prag të 105 vjetorit të Pavarësisë ai erdhi bashkë me dy ndihmësit e tij të përhershëm me të cilët punon në punishten e tij në Librazhdë. Kishin marrë me vete çantën me veglat e punës, furça metalike, daltat, çekiçë etj. Për tri orë e kruajtën, e fshinë, e lanë, e thanë dhe në fund e lyen me atë silucionin “magjik” që e mbron nga shiu, pluhurat dhe erozioni. I shihja duke punuar me aq kujdes dhe dashuri sikur te ishin duke u kujdesur për një fëmijë. Ishim edhe ne disa prej miqve të tij të Dhjetorit ’90.
Gëzimi është brezi i atyre djemve dhe vajzave që i dhanë Shqipërisë pluralizmin politik , Gëzimi është njëri prej atyre studentëve që u ngujuan në grevë urie për ta çliruar vendin prej përmendoreve dhe simboleve të rreme. Gëzimi është njëri prej atyre që ja hoqi yllin e kuq Flamurit tonë Kombëtarë. Gëzimi, kujdeset për Flamurin- mozaik që ja dhuroj kryeqytetit si për fëmijën e tij. Kur realisht për të duhet të kujdesen punonjësit e Bashkisë se Tiranës të cilës ai ja dhuroj me aq bujari dhe dashuri ne 100 Vjetorin e Pavarësisë.
Tiranë me 26 Nëntor 2017.