Pjergulla e kulakut

Nga Av. Xhafer Sadiku

Detyrimet atë vit ishin të rënda, por ata që ishin cilësuar kulak do të paguanin dyfish për të njëjtën sasi të ardhurash dhe nëse nuk i shlyenin dot, edhe dënimi ishte dy here më i lartë. Fshatarët i shikonin bagëtinë, pulat dhe pjergullat si njerëz të shtëpisë. Tek ato varej fati i tyre! Dhe tek Zoti, të cilit i luteshin të lëshonte ndonjë pikë shi në arat e tyre. -Rona, rona, pipirona, rëntë shi në arat tona, – ishte vargjet që i dëgjoje kudo nga fëmijët. Ç’është e vërteta, zoti po i dëgjonte, bimët dukeshin të mbara ndërsa lastarët e pjergullave nxinin si këlkazë.
Vetëm pjergullat e “kulakut” po zverdhonin! Edhe ato pak bletë që i nxori mirë nga dimri, i ngordhën në stinën e luleve. Ndonëse besimtar, i dukej sikur edhe zoti e kishte harruar. Aq e madhe ishte brenga, sa nuk e zinte gjumi natën, madje gdhihej pranë pjergullave të sëmura, sikur do tu gjendej pranë në çastin kur do tu “delte shpirti”.
Një natë dëgjoi një zhurmë ndonja njëqind metra më poshtë dhe iu duk sikur diçka u rrëzua nga ledhi i arës së tij. Mendoi se ishte ndonjë egërsirë. Ndezi një duhan dhe humbi në mendime… Kur kishin kaluar disa minuta, hëna shfaqi siluetën e një burri që po ngjiste të përpjetën në drejtim të fshatit. E njohu. Në trup i shkuan mornica. Kapërceu me një frymë arën më poshtë dhe u gjend tek vendi ku ishte rrëzuar “bisha”. Në fund të pjergullës ishin dy dega lisi. I hoqi, por pa se dheu ishte i lagur. Fshiu dorën pas trungut të pjergullës, kur ndjeu t’i gërvishtej nga një copë metali. Një gozhdë e madhe ishte ngulur në trungun e pjergullës, aty ku delte nga dheu. Ulëriu! Hija përtej ktheu kokën dhe shpejtoi hapat drejt shtëpisë.
Pa pritur të zbardhte, i mori pjergullat me radhë: tek trungjet e tyre ishin ngulur gozhdë të mëdha, të ndryshkura. Ishin nga ato të kovaçit, që përdoreshin për qerestetë. E kuptoi se si i kishin ngordhur edhe bletët, edhe qeni. Ditë më të zeza do të vinin për ta…