Kampi komunist i shfarosjes në Maliq ,sipas Mitrush Kutelit

Nga Petraq Kolevica ”

…”Kur na shkarkuan nga kamioni atje, isha me ca rroba të vjetra e si mos më keq nga pluhuri i asaj rruge të gjatë. Në kokë, për t’u mbrojtur nga dielli, kisha lidhur një shami me nyje në të katër cepat, siç e lidhin armaxhinjtë.
Një polic erdhi e më pyeti:
-Sa shkollë ke ti?
-Hiç. Katë klasë të fillores kam – i thashë.
-Mirë. Shko këtej, ti.
Për fatin tim të mirë e besoi se, siç isha katandisur unë, do ta besonte dhe po t’i kisha thënë: s’kam bërë shkollë…Kur më liruan, ndërsa po më hipnin në kamion, për të na sjellë në Tiranë, u ndodh përsëri ai polic. Më pa me ca sy katili e duke shtrënguar dhëmbët, më foli gjithë inat: “Ë ë ë ë!…Ti qen paske pasur shkollë të madhe, ti!” Ndërsa kunati i Mitrushit, i burgosur në moshë të re dhe ai në kampin e Maliqit, më ka treguar:
Kur e sollën Mitrushin, e mbyllën në një kotec derri. Ai kamp ishte lemeri. Në mëngjes vetëm një si çaj. Bukë si baltë vetëm një herë në ditë, më drekë. Në punë na detyronin të shkonim duke rendur. Rendnim zbathur nëpër baltrat, se këpucët na u prishën brenda dy-tre ditëve. Punonim në kanale me ujra përmbi gjunjë e gjer në mes. Poshtë na pinin ushujzat, sipër na grinin mushkonjat. Dizanteria bënte kërdinë. Kur ktheheshim nga puna, në mbrëmje, ecnim me këmbë e duar si bagtia, sepse nuk qëndronim dot më këmbë nga lodhja e nga dizanteria. Aty kisha të burgosur dhe babanë. E preu dizanteria dhe unë e kam larë babanë lakuriq, si fëmijë. Një tregtar nga Korça, Koçi Misrasi, nuk duronte dot më dhe vari veten.
Alfred Ashikun e rrahën për vdekje se hëngri një panxhar që e gjeti aty nëpër baltrat. Një tjetër, Niko Kirkën nga Korça, e lanë të lidhur me tel me gjemba te një shtyllë përkundrejt diellit. Atje e lanë si Krishtin në kryq dy dit e dy net dhe ne, 1500 të burgosur, na detyruan të shkonim pranë tij e ta pështynim. Ky qe kampi i Maliqit… ku ishte drejtor Tasi Marko, vëllai i Rita Marko

*Nga libri i Petraq Kolevicës “Mitrushi më ka treguar”, shënimet nga kujtimet e Mitrush Kutelit për kampin e Maliqit