Plani ‘Shkodra 2030″, Voltana Ademi shpalos projektet strategjike

Bashkia e Shkodrës, prezantoi disa nga projektet strategjike të planit të përgjithshëm vendor, që vetëm pak ditë më parë mori bekimin e Këshillit Kombëtar të Territorit! Kryebashkiakja Voltana Ademi, evidentoi fushat ku do të bazohet zhvillimi dhe investimet në kryeqendrën e veriut.
Bashkia Shkodrës do ti përgjigjet me kërkesa konkrete sfidës së kryeministrit Edi Rama për të paraqitur projekte për financime.
Pasi mori miratimin e Këshillit Kombëtar të Territorit, bashkia e qytetit verior prezantoi projektet strategjike të planit të përgjithshëm vendor, për një pjesë të të cilëve do të kërkohet financimi i qeverisë qëndrore.
Financimi në total përllogaritet të kërkojë një vlerë prej 5 miliard lekësh dhe Bashkia e Shkodrës pranon se nuk ka të ardhura për ti realizuar e vetme.
Voltana Ademi: Ne kemi përfituar jo shumë, mund të them pak, por përgjigjet janë disa nga ato që ne mund të realizojmë.
Turizmi, biznesi, bujqësia, agrobzinesi, kultura e sporti janë vetëm disa nga drejtimet ku do të fokusohet bashkia e kryeqendrës së veriut deri në vitin 2030. Duke e vënë theksin tek infrastruktura dhe mjedisi, kryebashkiakja Voltana Ademi u fokusua tek investimet për projektet e sistemimit të ujërave të zeza në Shkodër.
Voltana Ademi: Kur bëhet fjalë për Shkodrën, të gjithëve i shkon mendja tek qyteti i bukur, tek uji. Ne kemi ujë pafund. Tek lumenjtë, sigurisht tek liqeni dhe malet. Por liqeni i Shkodrës vazhdon të mbetet një ndër burimet më të papërdorura kur bëhet fjalë për ekonominë dhe zhvillimin.