“RREZIKU ANGLO-AMERIKAN” NË MIRDITË.

Nga Zef Zefi

Informacion urgjent: të Madhit tonë, udhëheqësit, frymëzuesit, organizatorit dhe arkitektit të Rilindjes Socialiste, shokut Edidysh.

1. Këto ditë forcat imperialiste dhe xhandari nderkombëtar i popujve, ka bërë një inkursion të rrëzikshëm per fatet e socializmit, duke vënë në shenjestër Mirditën e përskuqur.
Nën koperturën e një ambasadori, një eksponent i shtetit dhe diplomacisë amerikane, i shoqëruar nga agjentët tanë rilindas ka mbërritur në Mirditë.
Megjithëse kuqalashet, rilindashët bashkë me “laradashët,” bënë ç’është e mundur që ambasadorit ti demonstronin vetëm vepren tonë madhore socialiste (sheshin qendror me gur të jashtëm “firmato” që kushton 100 deri 1000 herë më shtrenjt se guri vendas, ca copëzat e mrekullueshme asfaltesh andej kendej nëpër Rreshen dhe të gjitha riparimet e ngjyrosjet e mureve nga të pllanit të shkuar katër-vjeçar, me sa duket nuk kanë mundur ti fshehim sa duhet ca vepra të Sali-armikut, që mund ti kenë rënë në sy Ambasadorit.
Në fjalën e tij përpara ca të rinjve, Ambasadori ka gjetur rastin të hedhë në publik një thirrje helmatisëse për kryengritje kundër qeverisë që gjoja vjedh.
Aludimet e Ambasadorit ishin te qarta kundër “rilindjes” në përgjithësi, shtetit të rilindur veçan dhe Rama’Dysh-it fringo.
Për këtë organizatat e rinisë së rrethit, organizata e partisë, ato të facebook-ut, tv, portalet lokale e nacionale, morën të gjitha masat që të pakten kjo thagmë amerikane të karantinohej e të mos merrte dhenë.
Nga ana tjetër organizata madhore e Partisë-soc-komuniste-mavi-iste-iste…, ka shpërndarë agjitatorët dhe propagandistët e formave të edukimit në gjithë dheun e Mirditës, që të sqarojë keqkuptimin, dhe identifikohen kontigjentet që mund ta kenë inspiruar Ambasadorin. Shumë shpejt në konspiracion te plotë do ju nisim edhe listat për ekzekutimet e nevojshme, sipas traditës sonë revolucionare.

2. Po nga Mirdita një person (femër) e maskuar si çobaneshë dhishë, ka mundur të futet në Dhomën e Lartë të Kuvendit Socialist, dhe të mbajë një ligjëratë mjaft kompromentuese e nihiliste për arritjet tona socialiste, sidomos ato të fshatit, sa ka mundur të ironizojë edhe rilindjen urbano-socialiste.
Jemi të detyruar t’ju informojmë se shoqja e shtirur si bareshë, është në realitet një “rufjane” e superkulturuar, e mirë-instruktuar dhe e superdiplomuar ne te Romën imperialiste, pikërisht për të bërë politikë.
Duam të sqarojmë se per ironi të koincidencës, zonja në fjalë eshtë diplomuar në të njejtin universitet “La spaienza”aty ku ishte diplomuar edhe armikja e partise tonë Musine Kokalari, të ciles partia tonë ia shtypi kokën, pikërisht këtu në Rreshen.

Ne të pushtetit dhe Degës se Brendshme, bashkë me organizatat e masave dhe të gjithë “Balilët” e kooperativave të hasha-shimit, kemi bërë hapat e nevojshme per personin në fjalë. Kemi shpëndarë në media e rrjete sociale “haberin” se zonjë është dora jonë, pavarësisht helmit dhe “gazit lotsjellës” qe hodhi.
Sa për përlotjen, ju kemi dhënë versionin, se kuvendarët socialistë, ministrat dhe sidomos Kryekuvendari, qanë nga gezimi per ndryshimet e papara të fshatit socialist.
Jemi në pritje të udhëzimeve e strategjive Tuaja të pagabueshme, Ylli ynë me yll n’zemër e n’xhaketë.

Me përulje, Rilindja mavi e Mirditës së përskuqur.