Bashkëpunimi rajonal politikë, ekonomikë dhe social-kulturorë i domosdoshëm për integrim të plotë

  • Në përfundim të ditës së parë të Samitit, Instituti për Studime të Europës Juglindore nëënshkroi marrëveshje bashkëpunimi me IRE-së në fushat e decentralizimit, studimit e përmirësimit të politikave rajonale.

Prej datës 24 Shtator në Salzburg të Austrisë, Instituti i Rajoneve të Europës (IRE) po zhvillon samitin vjetor të 13-të me temë kryesore, Konferenca e Rajoneve të Europës dhe Qyteteve.

IRE është një prej instituteve më prestigjioze europiane me fokus kryesor në punën e tij, decentralizimin dhe rajonalizimin e mëtejshëm europian duke siguruar ekspertizë të shumëfishtë në përmbushjen e këtij misioni. I themeluar në vitin 2004 nga Profesor Franz Schausberger ish President i rajonit të Salzburgut, ky institut bashkëpunon ngushtësisht me vendimmarrës nga i gjithë kontinenti me qëllim themelor demokratizimin dhe mirëfunksionimin e proceseve qeverisëse lokale.

IRE gjithashtu është tepër i interesuar në procesin e integrimit europian të vendeve të Ballkanit perëndimor dhe për këtë arsye, në qendër të konferencës së 13-të vjetore të këtij instituti, vend kryesor zuri dhe tema e integrimit, kooperimit dhe dialogut mes vendeve të Ballkanit perëndimor.

Me qëllim nxitjen e dialogut dhe bashkëpunimit rajonal, IRE, organizoi një panel të përbashkët diskutimi mes përfaqësuesve më të lartë politik të Ballkanit në fushën e politikave të integrimit. Paneli përbëhej respektivisht nga z. Wolfgang Branderstetter Ministër i Drejtësisë dhe zv. Kancelar i Austrisë, znj. Odeta Barbullushi zv. Ministre për Europën dhe Politikat e Jashtme të Shqipërisë, Z. Igor Crnadak Minister për Integrimin i Bosnje dhe Hercegovinës, Z. Enver Hoxhaj Zv. Kryeminister i Kosovës, znj. Jadranka Joksimovic ministre për Integrimin Europian e Republikës së Serbisë, z. Bujar Osmani zv. Ministër për Integrimin Europian të Rep. Maqedonisë, Aleksander Pejovic Ministër i Integrimin Europian për Rep. e Malit të Zi.

Fjalën e hapjes për këtë panel diskutues e mbajti Z. Johanes Hahn, Komision i Zgjerimit të BE, i cili ndër të tjera theksoi dhe një herë nevojën e kooperimit rajonal në fushat politike, ekonomike dhe social-kulturore si kusht i domosdoshëm për përshpejtimin e integrimit të plotë të vendeve të Ballkanit Perëndimor.

Delegacionet e ftuara në këtë samit ishin të shumta edhe vendet e ndryshme ishin kujdesur që të përfaqësoheshin me personalitete nga të gjitha fushat si, biznes, politike, diplomaci dhe akademike. Gjithashtu, përveç delegacioneve zyrtare, të ftuar në këtë samit ishin dhe personalitete të spikatura shqiptare me kontribute të qenësishme në fushat e tyre të ekspertizës që kanë ndihmuar gjithashtu në forcimin e marrëdhënieve mes vendeve të tyre dhe shtetit të Austrisë.

Disa prej tyre ishin z. Miftar Kastrati, Asamblist në asamblenë e qytetit të Vocklabruckut dhe njëkohësisht Zv. Drejtor i përgjithshëm i Institutit për studime të Europës Juglindore, Prof. Enver Bytyçi -Drejtor i Përgjithshëm i këtij Instituti dhe z. Enri Ceno Sekretar i Përgjithshëm i Institutit si dhe Anëtar Kryesie në Partinë Demokratike të Shqipërisë.

Në përfundim të ditës së parë të Samitit, Instituti për Studime të Europës Juglindore nënshkroi marrëveshje bashkëpunimi me IRE-së në fushat e decentralizimit, studimit e përmirësimit të politikave rajonale që sigurisht kanë për qellim shkëmbimin e ekspertizës dhe eksperiencave të ndërsjella të dy instituteve dhe organizimin e projekteve të përbashkëta.